WORKSHOP


FAKULTETI I SHKENCAVE MJEKESORE TEKNIKE

 

KOMUNIKIMI PROFESIONAL NЁ KURRIKULAT E SHKENCAVE TЁ SHЁNDETIT

Me iniciativën e Departamentit të Lëndëve Paraklinike, nën drejtimin e Prof.Ass. Dr Floreta Kurti,  më 30 Nëntor 2017, në ambientet e Fakultetit të Shkencave  Mjekësore Teknike u zhvillua Workshopi me titull: „Komunikimi Profesional në kurrikulat e Shkencave të Shëndetit“. Në takim morën pjesë  pedagogë të FSHMT-së, profesionistë të fushës së  Psikologjisë, Sociologjisë dhe të tjerë. Në këtë organizim morën pjesë edhe Dr. Irena Kola shefe e Departamentit të Diagnostikës dhe Rehabilitimit si dhe Dr. Ergys Ramosaço shefi i Departamentit të Lëndëve Klinike.

Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Irena Kola. Ajo falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe grupin organizator për punën e kryer. Më pas shefja e Departamentit të Lëndëve Paraklinike Dr. Kurti në prezantimin e saj shpjegoi arsyet e takimit dhe rëndësinë e përfshirjes së komunikimit profesional në kurrikulat e FSHMT-së. Ajo kërkoi nga pjesëmarrësit të kontribonin me idetë e tyre mbi mënyrën më të mirë të mundshme të integrimit të nocioneve të komunikimit profesional në kurrikulën e fakultetit me qëllim aftësimin e studentëve me teknikat e komunikimit profesional.

Në takim u sollën prezantime shumë interesante. Ai u karakterizua nga një frymë e lartë përgjegjësie profesionale, diskutime konstruktive dhe përfshirja aktive e të gjithë pjesëmarrësve plotësoi më së miri qëllimin e workshopit. Punimet bashkëkohore, eksperiencat dhe idetë e prezantuara hodhën dritë mbi strategjinë më të mirë të përfshirjes në kurrikul të lëndëve të Psikologjisë dhe Komunikimit Profesional si dhe integrimin e strategjive të komunikimit në lëndët infermierore.

Në fund të takimit të gjithë pjesëmarrësit dakortësuan rëndësinë e përfshirjes së komunikimit profesional në kurrikul dhe përkrahën idenë që  organizime të tilla, mes profesionistësh, duhet të vazhdojnë të organizohen edhe për çështje të tjera të rëndësishme që shqetësojnë fakultetin në mënyrë që të mbështetet në vazhdimësi rritja e cilësisë së studentëve të FSHMT-së.