HISTORIKU I FAKULTETIT

  HISTORIKU I FAKULTETIT

HISTORIA E SHKOLLËS SË INFERMIERISË, TIRANË

Më 30 Dhjetor 1921 përshkruhen të dhënat e para mbi zhvillimin e infermieristikës si profesion edhe si shërbim, me edukimin,shkollimin dhe formimin përkatës. Ishte Kryqi i Kuq Shqiptar, i cili themeloi në Tiranë,Shkollën e parë të Infermierëve me programe që formonin nxënësit kryesisht mbi mjekësinë parandaluese dhe mbi fushën e higjenës.

Në vitin 1948 hapet Teknikumi i parë mjekësor me program tre vjeçar e më pas                          4 – vjeçar  ku studentët diplomohen si ndihmës mjekë.

Në vitin 1966 pas Konferencës së parë të shëndetësisë fillon organizimi i institucioneve shëndetësore dhe hapen kurset  1 – vjeçare për infermierë pranë drejtorisë së kurseve të kuadrove mjekësorë në Spitalin Civil nr.1 Tiranë ( sot QSUT “ Nënë Tereza”) . Deri në vitin 1996 ky institucion varej nga Ministria Shëndetësisë e cila përcaktonte kuotat sipas nevojave të   çdo rrethi.Kriteri  i pranimit në këtë  kurs ishte përfundimi i shkollës  së mesme me mesatare të lartë ( Konkurimi bëhej midis kandidatëve të të njëjtit rreth në përputhje me kuoata e miratuara ).  Deri në vitin 1994 nxënësit në këto kurse përgatiteshin në dy specialitete: Infermier i Përgjithshëm dhe Mami – Infermier. Afati i studimit ishte 2 vjet. Drejtues të këtyre institucioneve kanë qënë : Llambi Dishnica për periudhën 1965-1967, Xhelal Haçkaj për periudhën 1968-1988 ,Drita Kule për periudhën 1988 – 1991 dhe  Astrit Koka për periudhën 1991-1996.

Vetëm në vitin 1996 me VKM Nr.494, datë 05.08.1996, mbështetur në Ligjin Nr.7810, datë 07.04.1994 “ Kursi i personelit të mesëm mjekësor në Tiranë pranë Ministrisës së Shëndetësisë dhe Ambjentit emërohet “ Shkolla  e Lartë e Infermierisë” në Tiranë, në Vartësi të Ministrisë së Arsimit të Lartë  dhe Kërkimeve Shkencore”.

Drejtori i parë i kësaj shkolle u emërua Dr.Astrit Koka ( Mjek higjenist).

Profili i studimit në këtë degë do të ishte “ Infermier i Përgjithshëm”  me afat studimi 3,5 vjet.Për herë të parë u regjistruan 79 studentë prej të cilëve 65 ishin femra.

Për herë të parë hapen degë të reja si Mami (viti akademik 2000 – 2001) ,dega Logopedi (viti akademik 2001 – 2002), dega Teknik Laboratori ( Klinik – Biokimik-Mikrobiologjik) në vitin akademik 2002 – 2003 .

Me VKM Nr. 612, datë 21.09.2004 “ Shkolla e Lartë e Infermierisë në Tiranë shndërohet në Fakultetin e Infermierisë, në varësi të Universitetit të Tiranës, me kohëzgjatje studimi 3 – vjeçar ”.

Misioni i kësaj shkolle ishte të formonte infermierë dhe mami me arsim të lartë profesional në nivelin e kërkesave bashkëkohore për të ushtruar profesionin në të gjitha institucionet shëndetësore spitalore dhe shërbim parësor.    

Programet e studimit që ofroheshin ishin: Infermier i Përgjithshëm,Mami,Logopedi, Teknik Laboratori

Stafi akademik efektiv përbëhej nga  13 pedagogë  mjekë dhe 10 asistent pedagogë     Infermierë.

Në Fakultetin e Infermierisë si pjesë e strukturave universitare u krijuan tri  departamente:

  • Departamenti i lëndëve Paraklinike
  • Departamenti i Lëndëve Klinike
  • Departamenti i Infermieristikës

Në vitin 2004 – 2005  e në vazhdim, Fakulteti i Infermierisë në përputhje me kartën e Bolonjës ofron sistemin arsimor  2 vjeçar .

Fakulteti i Infermierisë ka qënë  ndër të parat shkolla të larta të integruara në kartën e Bolonjës. Ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me shkollën Le Boun Secoure në Zvicër si dhe shkollën zviceriane homologe “ Le Bon Secours” në Georgetown University në Sh.B.A., bashkëpunim i cili ndikoi në formimin e mëtejshëm  të as.pedagogëve infermierë.

Në vitin 2008 pas zgjedhjeve të zhvilluara në IAL , Dekan u zgjodh Prof. Petrit Bara.

Në Maj 2009 u formua një Departament i ri , Departamenti i Diagnostikës dhe Rehabilitimit Shëndetësor.

Në Qershor 2011, Departamenti i Infermieristikës shkrihet për të formuar dy departamente: Departamentin e Infermieristikës së Përgjithshme, Infermieristikës në Sëmundje të Brendshme dhe në Pediatri dhe Departamentin e Infermieristikës në Kirurgji, Infermieristikës në Obstetri – Gjinekologjidhe në Rehabilitim Shëndetësor

Për vitin akademik 2003 – 2004 ndoqën studimet  725 studentë  në sistemin Bachelor kurse  për periudhen 2004-2016 janë  regjistruar 7308 studentë, dhe diplomuar 6310 .

Në vitin akademik 2008 – 2009 për herë të parë u ofruan programe të ciklit të dytë të studimeve MNP në degët Infermieri e Përgjithshme,Mami, Teknik Laboratori e më pas edhe në degët Fizioterapi , Imazheri,Logopedi e Geriartri. Që nga ky vit e deri në vitin akademik 2015 – 2016 janë regjistruar rreth 2077 studentë dhe për këtë periudhë janë diplomuar rreth 1254 studentë.

Në vitin 2010 -2011 për herë të parë u ofrua program i studimit MND me kohë të plotë në Infermieristikë dhe Subspecialitete (34 studentë).

 Në vitin 2010 -2011 e në vazhdim u ofruan programe studimi të nivelit të dytë  DND & Master i Shkencave” në degët  Infermieri të Përgjithshme,Mami, Teknik Laboratori, Fizioterapi , Imazheri e më pas edhe në degën,Logopedi dhe deri në vitin akademik 2016 – 2017  janë regjistruar rreth 2322 studentë  dhe janë diplomuar gjatë kësaj periudhe 1301 studentë.

Në vitin 2010  u hapën për herë të parë  programet e studimit me kohë të pjesshme  në degët  Infermieri, Mami, Teknik Laboratori,  Fizioterapi dhe Imazheri duke ju shërbyer kryesisht  personelit  mjekësor me shkollë të mesme të punësuar në institucionet shëndetësore. Deri në vitin 2013 u regjistruan  1218 studentë  dhe janë diplomuar deri tani 645 studentë.

Pra,  Fakulteti i Infermierisë tashmë nuk formonte vetëm infermierë dhe mami por edhe Logopedë, Teknikë Laboratori, Imazheristë,Fizioterapistë .

Për të përputhur emrin e fakultetit me të gjitha profesionet  që ai ofron në Nëntor 2012 , Fakulteti  i Infermierisë merr emrin “ Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike”.

Në vitin 2012 pas zgjedhjeve të zhvilluara në IAL , Dekan i Fakultetit  u zgjodh                      Prof. Petrit Bara.

Në Janar 2013 u krijua Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, në strukturën e të cilit u integrua edhe Fakulteti  i Shkencave Mjekësore Teknike.

Në vitin 2016 pas zgjedhjeve të zhvilluara në IAL , Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike  u zgjodh Prof. Tatjana  Çina.

Sot, bazuar në  Rekomandimet  Europiane  për çdo program studimi , në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike po punohet për  të përmirësuar   kurrikulat duke synuar përafrimin e tyre me programet e vendeve të rajonit, Europës dhe më gjerë.